banner
Marketing
Faqe e pavarur

Drejtojini femijet tuaj kah e mbara nepermes lutjeve

Shkruan: Sehar Sheir

 

Fëmijët janë një prej begative më të mëdha që na i jep Allahu, subhanehu ve teala. Na gëzojnë në fëmijëri dhe shpresojmë ndihmën tyre kur të rriten. I konsiderojmë vazhdimësi tonën tek të cilët dëshiromi ti shohim virtytet tona dhe gëzohemi kur atyre u thuhet sa shumë i ngjan babës.

Tek besimtarët kjo lumturi nuk plotësohet pa u siguruar se fëmijët e tyre janë në udhë të drejtë, të gatshëm që këtë udhëtim në shërbim të Zotit ta vazhdojnë edhe gjeneratat që do vijnë. Këto njerëz i lavdëron Zoti i gjithësisë duke i quajtur robërit e Mëshiruesit të cilët këtë epitet e kanë fituar me cilësitë e tyre në mesin e të cilave është edhe ajo të cilën Allahu e përmend në ajetin vijues:

“Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit.” (Furkan, 74)

Ibën Kethiri në tefsirin e këtij ajeti thotë: “Ata që e lusin Allahun që tu jep pasardhës që do ti binden Allahut dhe do ta adhurojnë vetëm Atë duke mos i përshkruar shok në adhurim.”

Ibën Abbasi: Pasardhës që do të bëjnë vepra të mira që do ti gëzojnë prindërit e tyre në dynja dhe ahiret.

Ikrime: Dëshironin që fëmijët e tyre t’i respektojnë.

Ibën Xheriri: E adhurojnë Allahun në mënyrë më të mirë dhe nuk u shkaktojnë telashe prindërve të tyre.

Kur Hasan El Basriu u pyet për këtë ajet tha: Ata luten që Allahu t’ua mundëson të shohin bashkëshortët e tyre, vëllezërit e tyre dhe miqtë e tyre në rrugën e adhurimit. Nuk ka kënaqësi më të madhe për myslimanin se sa të sheh djalin e tij, nipin e tij dhe të afërmin e tij në adhurim ndaj Allahut.

Kjo ishte edhe rruga e pejgamberëve, paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi ta.

Ishin njerëz që më sinqerisht e adhurojnë Allahun, të cilët vazhdimisht kujdeseshin për shtëpitë e tyre dhe për udhëzimin e pasardhësve të tyre. Ata e dinin fortë mirë ndikimin e duasë në përqendrimin e fëmijëve të tyre në rrugë të drejtë si dhe në shërimin e mangësive që i kishin. Për këtë shkak ata bëjnë dua për fëmijët që akoma nuk u janë lindur.

Kështu veproi edhe i zgjedhuri Ibrahimi, alejhi selam, i cili në përulësi i ngriti duart lartë dhe kërkoi prej Allahut t’i jep fëmijë të mirë dhe përmirësues:

“Zoti im, më dhuro mua (një fëmijë) prej të mirëve!” (Saffat, 100) përgjigja ishte e shpejtë: “Ne e gëzuam atë me një djalë të mbarë. (Saffat, 101)

Kujdesi i Ibrahimit, alejhi selam, vazhdoi gjatë tërë jetës, në lutjet e tija të pandërprera për familjen dhe fëmijët.

“(Përkujto) Kur Ibrahimi tha: “Zoti im! Bëje këtë qytet të sigurt dhe më mbro mua e bijtë e mi nga adhurimi i idhujve (statuja gurësh). Zoti im! Ata vërtet i shmangin (nga rruga e drejtë) shumë njerëz. E kush më respekton mua, ai është i imi (në fe), e kush më kundërshton mua, atëherë Ti je që fal dhe që mëshiron. Zoti ynë! Unë një pjesë të familjes sime e vendosa në një luginë, ku nuk ka bimë, e pranë shtëpisë Tënde të shenjtë. Zoti ynë (i vendosa aty) që ta falin namazin, pra bën që zemrat e disa njerëzve të mallëngjehen për ata, dhe, për të falënderuar me mirënjohje, furnizoi ata me fruta. Zoti ynë! S’ka dyshim se Ti e di çka fshehim dhe çka publikojmë, se All-llahut nuk mund t’i fshihet asnjë send në tokë e as në qiell. Falënderimi i qoftë All-llahut, i cili në pleqëri më fali mua Ismailin dhe Is’hakun! Vërtet, Zoi im dëgjon dhe i përgjigjet lutjes. O Zoti im! Më bën mua nga ata që falin namazin, e edhe prej pasardhësve të mi dhe pranoje lutjen time o Zoti ynë! Zoti ynë! Më fal (gabimet) mua edhe prindërve të mi, fali edhe të gjithë besimtarët ditën kur jepet llogaria.” (Ibrahim, 35-41)

Të njëjtën rrugë e ndjek edhe Zekirija, alejhi selam, i cili bëri dua për fëmijët e tij para se të lindin:

“Zoti im, më falë edhe mua nga ana Juaj një pasardhës (fëmijë) të mirë, vërtet, Ti je dëgjues i lutjes”! (Ali Imran, 3 pastaj vazhdon duke bërë lutje për një pasardhës me të cilin Allahu do të jetë i kënaqur dhe i cili do ta ndihmoi atë na bartjen e obligimeve në rrugën e thirrjes në besim:

“Tha: “Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat, më janë përhapur thinjat në kokën time, e me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar”. Unë ua kam frikën pasardhësve të mi pas meje (kushërinjve, se do ta humbnin fenë), ndërsa gruaja ime është sterile, pra më fal nga ajo mirësia Jote një pasardhës (një fëmijë). Të më trashëgojë mua dhe t’i trashëgojë ata nga familja e Jakubit, dhe bëje atë, o Zoti im, të pëlqyeshëm (për Ty)!” (Merjem, 4-6)

Melekët shpejt e kthyen lajmin përgëzues:

“E duke u falur ai në faltore, engjëjt e thërrasin: “All-llahu të përgëzon ty me Jahjanë, që do të vërtetojë fjalën (Isain) e ardhur nga All-llahu, e që do të jetë prijës i matur dhe pejgamber nga të dalluarit”!” (Ali Imran, 39)

Më i zgjedhuri prej pejgamberëve kujdesej shumë për fëmijët, urdhëronte të bëhet dua për ta dhe ndalonte nga lutja kundër tyre. Bënte dua edhe para se të lindin:

Kur mushrikët e Taifit e refuzuan dhe e sulmuan, Allahu e dërgoi melekun e kodrave duke thonë se pritet vetëm urdhri i tij për ta shkatërruar qytetin me dy kodrat. I Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-leme, tha: Jo. Ndoshta nga boshtet e tyre Allahu do të krijon pasardhës që do ta adhurojnë vetëm Allahun, dhe kjo ndodhi.

Në hadithet e Muhammedit, sal-lallahu alejhi ve sel-leme, myslimanët këshillohen që para marrëdhënieve intime të kërkojnë strehim te Allahu prej djallit të mallkuar duke pohuar se fëmija e lindur nga ai kontakt intim nuk do të ndikohet nga shejtani.

I njohur është edhe rasti i njeriut të cilit i kishte vdekur një fëmijë, dhe i cili në të njëjtën natë ka bërë marrëdhënie me bashkëshorten e tij dhe në mëngjes i Dërguari i Allahut bëri lutje për ta që Allahu tu jep bereqet në atë natë. Atyre ju lindën fëmijë dhe gjithë ishin hafidha të Kur’anit. I shihja në xhaminë e të Dërguarit thotë transmetuesi i ndodhisë Abaje ibën Rifa’ah.

Ai, sal-lallahu alejhi ve sel-leme, bënte dua për fëmijët pas lindjes së tyre dhe kur ishin fëmijë. Imam Muslimi e transmeton rastin kur i Dërguari i Allahut, sal-lallahu alejhi ve sel-leme, bëri dua për Enesin, radijallahu anhu,që Allahu t’i jep shumë pasuri dhe shumë fëmijë. Pas shumë vitesh ukjo lutje u bë realitet dhe Enesi me krenari thoshte: Sot numri i fëmijëve dhe nipave të mij është mbi njëqind.

Shembulli i këtyre duhet ndjekur me përqendrim dhe këmbëngulje të bëjmë lutje për fëmijët tanë në çdo situatë.

Nëse e analizojmë hadithin e të Dërguarit, salAllahu alejhi ue selem: “Zemrat e robërve janë mes gishtave të Mëshiruesit, i rrotullon ato (zemrat) si dëshiron”, do ta kuptojmë rëndësinë e lutjes dhe përulësisë gjatë saj për mbarësimin e fëmijëve tanë. Allahu është i vetmi që i drejton zemrat, që udhëzon krijesat në rrugën e drejtë, dhe jo rastësisht i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, brenda njëzet e katër orëve më tepër se shtatëdhjetë herë bënte këtë lutje: O Zoti im, Ti që i rrotullon zemrat, forcoje zemrën time në fenë Tënde.

Në vijim të shohim se si lutja ishte zgjidhje për shumë nga sëmundjet dhe problemet e ndërlikuara pedagogjike dhe edukative, te të parët tanë të mirë, Allahu qoftë i kënaqur me ta. اështjet e edukimit, siç mendojnë disa, në atë periudhë nuk kalonin pa probleme. Edhe ato gjenerata të zgjedhura ballafaqoheshin me vështirësi të shumta gjatë edukimit dhe mbarësimit të fëmijëve, probleme të cilat ata i tejkaluan me lutje për të cilën është thënë:

Lutjes me të cilën lutesh për të vegjlit, do t'ia shohësh ndikimin kur të rriten.

Mu'avije ibën Kurre tregon: Kur më lindi djali, të cilin e emërova Ijas, shtrova një darkë për disa as'habë të Resulullahit, salAllahu alejhi ue selem, të cilët u lutën për djalin tim. Pasi i kryen lutjet u thash: Ju e bëtë duan tuaj tani unë do bëj dua e ju thoni amin. Pastaj u luta shumë gjatë për djalin tim, që të jetë i dalluar në fe dhe në mendje. Edhe sot i shoh gjurmët e asaj duaje.


Lutja e Fudajl ibën Ijadit për djalin e tij.

Fudajl b. Ijadi, tabi'ini i njohur, kishte një djalë për edukimin e të cilit u angazhua shumë. Shpresonte se ai do të rritet si një i ri i dalluar me mençuri, devotshmëri dhe modesti. Kur edukimi i djalit iu vështirësua, bëri këtë lutje: O Allahu im, unë u mundova ta edukoj djalin tim Aliun por nuk pata sukses, Të lutem ta edukosh në vend timin...

Me këtë problem ballafaqohen shumë nga prindërit e kohës së sotme. Ata angazhohen me gjitha mjetet që kanë për t’i edukuar fëmijët e tyre por shumë prej tyre nuk arrijnë në ndonjë sukses. Një realitet i tillë nuk e dëshpëroi Fudajlin, i cili në përulësi ngriti duart lart dhe iu drejtua me lutje Zotit të gjithësisë dhe Allahu ia pranoi lutjen. Aliu i biri i Fudajlit u bë imam në dije dhe prijës në devotshmëri. Imam Nesaiu thoshte: i besueshmi, besniku. Hatib Bagdadi thoshte: Ishte në shkallë të lartë të modestisë. Ibën Mubareku duke e lavdëruar thoshte: Njeriu më i mirë është Fudajl ibën Ijadi, por më i mirë se ai është djali i tij Aliu. Sufjani i biri i Ujejnes, duke folur për devotshmërinë e tij tha: Nuk kam parë njerëz më të devotshëm se Fudajli dhe i biri i tij.

Djaloshi i padëgjueshëm u shndërrua në ndihmës i mirë për të atin, në devotshmëri, asketizëm dhe modesti. Së bashku shkonin në xhami, në haxhillëk dhe kryenin vepra të mira. Faleshin natën e agjëronin ditën. Kështu vazhdoi lidhja mes prindit dhe të birit derisa erdh dita e premtuar e ndarjes. Aliu, i biri i Fudajlit u nda nga jeta në vitin 183 pas hixhretit. Djali, i cili ndërroi jetë, i mungonte shumë të atit, i cili pas vdekjes, e kujtonte me këto fjalë: Një ditë Aliu më tha: Kërko nga Ai që na bashkoi në dynja të na bashkojë në ahiret dhe pastaj qau. I dashuri im, vazhdoi Fudajli, Allahu të shpërbleftë për ndihmën tënde ndaj meje. Fudajli u nda nga jeta e kësaj bote në vitin 187 pas hixhretit.


Lutja si ndihmë gjatë mësimit:

Selim b. Ejub b. Selim, duke folur për fëmijërinë e tij rrëfen: Jetoja në qytetin Rejj dhe kur shkova në mejtep tek mësuesi i Kur'anit ai kërkoi prej meje ta lexoj suren El Fatiha, gjë që s’munda ta bëj sepse fillova të belbëzoj. Mualimi më pyeti: A ke nënë? Thash: Po. Më tha: Le të lutet për ty, që të bëhesh dijetar dhe lexues i Kur'anit. E ëma ime ashtu veproi. Pas pak kohë u shpërngulëm në Bagdad ku mësova dhe arrita suksese në mësim. Kur pas një kohë të gjatë u ktheva në Rejj, gjatë ligjëratës që e mbaja në xhami hyri mësuesi i Kur'anit, i cili s’më njihte. Më përshëndeti dhe tha: duhet shumë kohë për t'i mësuar këto gjëra. Desha t'ia përsëris këshillën që ma dha vite më parë, por u turpërova...

Pse të mos e ndjekim këtë shembull nga historia e të lutemi për fëmijët tanë, që Allahu t'ua lehtësojë kuptimin, vramendjen, mësimin, provimet... Allahu sundon me gjithësinë dhe është i Gjithëfuqishëm, ju e dini apo e keni harruar këtë fakt.


Lutja e prindërve si shkak për faljen e mëkateve:

Kur'ani na rrëfen për ndodhinë e Jakubit, alejhi selam, më fëmijët e tij në suren Jusuf. Kur ata u penduan për padrejtësinë që i kishin bërë Jusufit, pendimin e tyre e plotësuan duke kërkuar prej të atit të bënte dua për ta: Ata thanë: “O ati ynë, lutu për ne që të na falen mëkatet tona, se me të vërtetë ne kemi qenë fajtorë!” “Më vonë do t’ia kërkoj Zotit tim faljen tuaj”, tha ai (Jakubi), se vërtet, Ai është që falë, është mëshirues (Jusuf, 97-9. Në një koment të këtij ajeti thuhet se ai këtë lutje e ka vonuar për kohën e syfyrit, kohën në të cilën lutjet pranohen.


Të lutesh kundër fëmijëve është në krye të listës së ndalesave gjatë edukimit

I Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, e ka alarmuar rrezikun e kësaj vepre. Xhabiri, i biri i Abdullahut, radijAllahu anhuma, rrëfen: i Dërguari i Allahut, salAllahu alejhi ue selem, ka thënë: "Mos bëni lutje kundër vetes, mos bëni lutje kundër fëmijëve, mos bëni lutje kundër shërbëtorëve, mos bëni lutje kundër pasurisë suaj dhe që të ndodhë që ato t’i bëni në kohë kur Allahu i pranon lutjet dhe ato (lutje kundër personave dhe gjërave të numëruara) të realizohen" (Transmeton Muslimi). Një njeri erdhi tek Abdullah b. Mubareku dhe u ankua nga mosbindja dhe rebelimi i fëmijës së tij. Ibën Mubareku e pyeti, a kë bë lutje kundër tij? Tha: Po. Ibën Mubareku tha: Ti e ke prishur.


Në fund, të respektuar nëna dhe baballarë,

Gabimet e fëmijëve tanë kanë nevojë për durim dhe lutje. Kur themi lutje, nuk e kemi fjalën për lutjen që bëhet një ose disa herë. Për t’i parë efektet, lutjet duhet të bëhen me vazhdimësi, ditën dhe natën, publikisht apo larg syve të gjindes. Asnjëherë nuk duhet të humbasim shpresën dhe as duhet të nxitojmë për përgjigjen e lutjes së bërë. Ndoshta përgjigja e lutjes do të vijë pas muaj e vitesh të përpikërisë në lutje. Imam Dhehebiu prej tabi’init të njohur Meurek El Ixhli transmeton të ketë thënë: Njëzet vjet lutesha për një gjë dhe lutja nuk mu pranua, por unë asnjëherë nuk u mërzita nga lutja.

Ne duhet të trokasim në dyert e qiellit, duke bërë dua për fëmijët tanë, për përmirësimin e tyre, për përmirësimin e gjendjes së tyre, për shpëtimin e tyre në dynja dhe ahiret. T’i çojmë duart lart për fëmijët tanë, për ata që shpresojmë të jenë prehje e syve tanë në botën kalimtare dhe në kënaqësitë e amshueshmërisë.

 

muslimanja.ch

Copyright: © Sena Spahiu / Lejohet kopjimi dhe shpërndarja e çdo materiali /