banner

POROSI DJALIT

 

SHEJH ABDULKADËR GJEJLANIU – (1077 – 1166)

 

 

Djali im të porosisë:
T’i kesh frikë e t’i përulesh
Zotit të Madhërishëm,
Sheriatit t’i përmbahesh,
Bindju ligjeve të Tij,
Dhe merru me dituri.

Udha jonë themelohet
Në librin e All-llahut,
Në fjalët e veprat
E Muhamedit alejhis-selam.
Zemër të pastër kërko
Dhe shpirt fisnik hulumto!

Të porosisë biri im:
Dijetarët i ndero,
Sillu mirë kudo,
Të mirat materiale
Nëse i ke
Për të mirën
E përgjithshme
I shpenzo!

Mos u shoqëro
Me ata që s’janë
Në nivelin tënd
Moral e intelektual.
Por, ndihmoi njerëzit
Për kërkesat jetësore
Dhe në udhën shpirtërore!

Në takim të parë
Mos shfaq dituri
Por trego sjellje,
Mirësi e njerëzi,
E para të largon
E dyta të afron!

Përpiqu në shoqëri
Të jeshë i thjeshtë,
I sjellshëm e bujar.
Mbaje në mend përherë
Se më i afërti i Perëndisë
Është ai që i shërben
Më së miri njerëzisë!
Dhe vepra më e mirë
Në këtë botë
Është ajo që bëhet
Vetëm për të Madhin Zot.

Djali im, më në fund:
E lus All-llahun
Që të kesh kujdes
Nëpër shtigjet e jetës,
Përhapi kudo me durim,
Dhe me dituri,
Rrezet e së Vërtetës…!

 

Përktheu nga anglishtja: Mexhid YVEJSI, Gjakovë

 
Copyright: © Sena Spahiu / Lejohet kopjimi dhe shpërndarja e çdo materiali /